Nëse ekziston mundësia që edhe një herë t’i shikojmë
parashikimet e “njohësve të çështjeve ndërkombëtare” lidhur me opinionin
e GJND’së, atëherë falltorin Hoxhë Sabri Peçani mund ta konsiderojmë
njeri serioz.
Nga Berat BuzhalaNuk kam shkruar kurrë më parë, deri sot, për opinionin potencial që
pritej ta jepnin gjykatësit e nderuar të Gjykatës Ndërkombëtare të
Hagës. Ishte vetëm një arsye që më parandalonte prej një aventure të
tillë: Inkompetenca ima.
Nuk dija çka të thosha. Edhe pak më thjeshtë: kush isha unë që të
futesha në ato ujëra të rrëmbyeshme dhe krejtësisht të panjohura për
mua.
Paramendojeni tash sikur të kisha hapur gojën, siç nuk hezitonte një
numër i madh i analistëve me tituj – njohës të shumë çështjeve, e
posaçërisht të atyre ndërkombëtare – e të kisha shkruar se “sipas
mendimit tim” opinioni i GJND’së do të jetë neutral, apo siç predikonin
një numër syresh, se mund të jetë edhe negativ, sepse Institucionet tona
nuk janë të përgatitura për ketë proces.
Tash, nëse do të kisha thënë ashtu detyrimisht do të më bënte nder -
nëse do të më kishte mbetur edhe pak nder - që të shkruaja edhe një
herë, pas opinionit, dhe të deklaroja se e kam huqur komplet
parashikimin, dhe se titujt që i kam si njohës i mirë i kësaj apo asaj
çështje po i mbaj për së rëndi në shpinë dhe se parashikimet e mia më
shumë sesa të mbështetura në motive profesionale, kanë qenë të
mbështetura në motive xhelozie - politike ose personale. Në rastin më të
keq, që motiv i vetëm ka qenë budallakia.
Mirëpo, një numër i madh i njohësve – nocioni ‘njohës’ ditëve të fundit
më shumë tingëllonte si titull shkencor – tash pas opinionit po fillojnë
të merren me parashikime të tjera. Bën be se asgjë nuk ka ndodhur pak
më herët.
Shikuesi apo lexuesi i pavëmendshëm kur i sheh se sa serbez flasin, mund
të mendojë se ai apo ky analist e paska rrokë n’cicë me opinionin e
tij/tyre opinionin e GJND’së.
Por, e vërteta është qesharakisht bizare. Opinionet vendore për
opinionin e GJND’së kanë qenë pak a shumë sikur të luajmë Turr-a-Jaz.
Demek, nëse ia qëlloj, fitoj poena si “njohës” i mirë i çështjeve
ndërkombëtare. E nëse nuk ia qëlloj, punë e madhe. Kjo nuk është as hera
e parë, as e fundit.
Mirëpo, edhe në ketë situatë kaotike, “njohësit” i kishin ca rregulla të
përbashkëta që u hartuan pavetëdijshëm prej tyre. Sigurisht e shikonin
njëri-tjetrin në ekrane të ndryshme televizive dhe kur u vinte radha të
dilnin vetë në televizion, apo të shkruanin në gazeta, e shtonin edhe
ndonjë fjalë. Pra, ishte një mendim kolektiv i formësuar në mënyrë
individuale se në GJND po zihet një padrejtësi e madhe - më e madhja
ndonjëherë - kundër vendit tonë. Kush një fjalë e kush një tjetër, dhe e
krijuam një opinion tonin sharlatan për një çështje ultra profesionale.
Për ketë çështje e lexova një shkrim të shkruar nga një njohës i vërtetë
i problemit. Nga Vladimir Gligorov, i biri i ish Presidentit maqedonas,
Kiro Gligorov.
Sikur të kisha qenë pjesë e armatës së “njohësve” të Kosovës dhe pastaj
rastësisht do ta kisha lexuar shkrimin e Gligorovit Junior, seriozisht
do të isha dëshpëruar keq. Me kënd tjetër, pos me injorancën time.
“Para së gjithash, pyetja në të cilën insiston Serbia, dhe e cila i
është parashtruar Gjyqit, sipas të gjitha gjasave, nuk do t’i sjellë
Serbisë qëllimin që ajo e dëshiron”, shkruan Gligorov, më 12 dhjetor
2009.
Ai shton: “Duke lexuar argumentet e paraqitura para Gjyqit Ndërkombëtar
të Drejtësisë në Hagë, mendoj që mund të konkludoj se për ekipin serb ka
shpresë vetëm nëse Gjyqi sjell një mendim politik, e jo një mendim të
bazuar në drejtësi”.
Dhjetëshe për Gligorivin!
Kurse, ata të tjerët që qëndronin si statuja në studiot e televizioneve
kosovare as që bëjnë pjesë në ketë Ligë. Ata janë një turmë falltorësh
qesharakë, para të cilëve Hoxhë Sabri Peçani del njeri serioz. Ishin në
gjendje, pa hezitim, të japin një opinion në secilën pyetje a fenomen të
hapur për debat diku në një skutë të Planetit. Dhe kur dështojnë,
rrugën e vazhdojnë me kokën lart, duke kërkuar që po me aq saktësi sa
problemin e parë, t’ua sqarojnë qytetarëve edhe problemin e dytë. Dhe
kështu po bëjnë.
Pas mbylljes, pak a shumë të turpshme, të kapitullit të parashikimeve
për opinionin e GJND’së, armata e “njohësve” e ka nuhatur një temë
tjetër po kaq atraktive për ta tjerrë gjerë e gjatë javët dhe muajt në
vijim: Veriun e Kosovës.
Prapë parashikimet mbetën të zymta, sikurse ishin edhe për GJND’në. Pra,
një skenar i errtë, i forcave po ashtu të errëta, po e përgatit ose
shkëputjen e Veriut prej Kosovës, ose një status special për Veriun e
Kosovës, ose një autonomi për Veriun e Kosovës, ose, ose, ose...
Nuk po them se një prej këtyre opsioneve, një ditë nuk do të bëhet
realitet. Ndoshta, ajo pjesë pas ndonjë “vis major” mund edhe të ndahet
fizikisht prej pjesës tjetër. Mirëpo, shqetësuese për shoqërinë tonë
është një lloj entuziazmi i pashpjegueshëm kobndjellës. Gati askush nuk
beson në asgjë.
Sikur parashikuesit e ngjarjeve sportive të ishin të dobët, siç janë
parashikuesit e ngjarjeve politike, bastoret në Kosovë do të
shndërroheshin në biznesin më profitabil në vend.