Ermira MEHMETINë ndërkohë, Kosova duhet të vazhdojë me një fushatë proaktive të
lobimit pro njohjeve të reja dhe, edhe më e rëndësishmja, me ndërtimin e
imazhit të një shteti funksional, demokratik dhe të drejtë për të
gjithë qytetarët e vet, sepse pavarësia e saj tashmë është legjitimuar,
legalizuar dhe është vulosur përfundimisht nga drejtësia ndërkombëtare
Vendimi
i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë sipas të cilit shpallja e
njëanshme e pavarësisë së Kosovës nuk është e paligjshme dhe për më
shumë, nuk paraqet shkelje të të drejtës ndërkombëtare, paraqet një
nokaut klasik për Serbinë zyrtare, ndërsa në mënyrë të veçantë ka
delegjitimuar politikën e jashtme dhe vetë kryediplomatin serb, Vuk
Jeremiq.
Një analizë e publikuar para ca kohësh në veb portalin evropian
“euobserver” përshkruante Vuk Jeremiqin, të përzgjedhurin e Presidentit
Boris Tadiq, si kandidatin potencial për kryeministër të Serbisë në
vitin 2012. Sipas kësaj analize, Jeremiqi ishte diskredituar në
zgjedhjet e brendshme partiake në vitin 2008, duke humbur votat 10 me 1
nga kundërkandidati i tij, dhe në këtë mënyrë kishte humbur kandidaturën
për kryeministër, duke marrë si ngushëllim postin e ministrit të
jashtëm. Ky epizod në karrierën e tij politike llogaritet si arsyeja
kryesore përse Jeremiqi kishte nisur fushatën kundër njohjeve
ndërkombëtare të Kosovës dhe këtë aksion, ndoshta më shumë se sa si
prioritet të politikës së jashtme të vendit të tij, ai e ka përjetuar
edhe si legjitimim personal para partisë në përgatitje për mandatin e
ardhshëm zgjedhor. Prej këtu, qysh me ardhjen e tij në postin e
ministrit të jashtëm të Serbisë më 15 maj 2007, Jeremiqi kishte
përcaktuar tre prioritete themelore për politikën e jashtme serbe:
mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit territorial, që nënkupton
mbajtjen me çdo kusht të Kosovës nën autoritetin serb; përshpejtimin e
integrimit evropian të Serbisë, dhe marrjen e rolit të liderit rajonal
të vendit të tij. Tre vjet më vonë, asnjëri nga këto qëllime nuk është
arritur.
Vetëm katër ditë pas marrjes së postit ministër i jashtëm, Vuk
Jeremiqi kishte deklaruar se “administrata aktuale në Serbi do të
humbasë mandatin e saj nëse Kosova fiton pavarësinë. ”Kështu, që nga
shpallja e pavarësisë në shkurt 2008, Jeremiqi u nis në një fushatë
intensive të lobimit nëpër shtetet e botës kundër pavarësisë së Kosovës.
Për më shumë, ai llogaritet si “arkitekti i strategjisë për të çuar
çështjen para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë” (The Economist),
ndërsa politika e jashtme serbe, që kryesisht fokusohet në politikën
kundër njohjes së Kosovës, është vlerësuar nga analistët si “mjet për
krijimin e një lideri të ri politik” (euobserver).
Por, çfarë duhet të ndodhë tani kur Gjykata Ndërkombëtare e
Drejtësisë vendosi plotësisht në favor të Kosovës, ndërkohë që
udhëheqësit evropianë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë të
qartë Serbisë se nuk do të ketë negociata mbi statusin dhe se pavarësia
e Kosovës është e pakthyeshme? Çfarë duhet të ndodhë kur Unioni
Evropian nuk e ka në ofertën e vet ndaj Serbisë rinegocimin e statusit
të Kosovës? Çfarë duhet të ndodhë tani kur politika e jashtme serbe i
kishte premtuar popullit serb edhe Kosovën edhe Evropën, ndërsa tani
asnjëra nuk duket e realizueshme?
Fill pas përmbylljes së seancës së Gjykatës lidhur me pavarësinë e
Kosovës, Jeremiqi deklaroi se “beteja për Kosovën nuk ka mbaruar”. Edhe
gjatë seancës së Parlamentit serb, Qeveria ka kërkuar autorizim për të
përdorur të gjitha mjetet diplomatike për mbrojtjen e sovranitetit dhe
integritetit territorial të Serbisë. Jeremiqi, ndërkohë deklaroi se do
të vazhdojë aktivitetet kundër njohjeve të reja të Kosovës. Por, qasja e
këtillë, ndërkohë që mund të sigurojë mbështetje të brendshme nga
populli serb për klasën politike në pushtet, është e gabuar, joreale dhe
në kundërshtim me atë çfarë ka kërkuar nga Serbia faktori ndërkombëtar.
Diplomacia amerikane dhe evropiane ka kërkuar dialog mes Kosovës e
Serbisë si dy entitete të veçanta. Gazeta prestigjioze britanike “The
Guardian” ka sugjeruar se këto dy shtete duhet të “krijojnë një
marrëdhënie pune” dhe se Kina me Tajvanin dhe Republika Federale e
Gjermanisë me Republikën Demokratike të Gjermanisë janë shembuj të
shteteve armiqësore të cilat kanë krijuar një modus vivendi. “Pikërisht
kjo nevojitet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në raport me veriun e
Mitrovicës”, konkludon “The Guardian”. Qasja e këtillë sugjeron nevojën e
një fryme të re në politikën serbe në raport me Kosovën dhe zëra për
këtë tashmë kanë ardhur nga disa politikanë serbë që janë në minorancë
(ish ministri i jashtëm Vuk Drashkoviq apo liberal-demokrati Çeda
Jovanoviq). Por, që të arrihet kjo, ministri aktual Jeremiq duhet që
minimalisht t’i përmbahet deklaratës që ka bërë vetë sipas së cilës
shpallja e pavarësisë së Kosovës paraqet fund të mandatit të klasës
aktuale politike në Serbi. Për më shumë, projekti edhe personal i
tij-çuarja e rastit para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ngreh
edhe çështjen e përgjegjësisë personale për një politikë të caktuar. Me
fjalë të tjera, çfarë mund të bëjë një arkitekt në momentin kur projekti
kapital arkitektural i tij rrënohet? Duhet të pajtohet se karrierës së
tij i ka ardhur fundi! Prandaj, është për t’u habitur se si akoma asnjë
faktor politik ose jopolitik në Serbi nuk ka kërkuar dorëheqjen e
Jeremiqit dhe largimin e tij për shkak të politikës së gabuar e cila
është delegjitimuar në arenën ndërkombëtare.
Por, ambicja e Jeremiqit është posti i kryeministrit në vitin 2012
dhe për këtë arsye, është e pritshme që në periudhën që vijon ai të
vazhdojë të manipulojë opinionin publik serb përmes propagandës, sepse
propaganda është përherë më e fuqishme se faktet, sidomos në Serbi
(euobserver). Deri në mbajtjen e seancës vjetore të Asamblesë së
Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator, fushata serbe kundër
Kosovës mbase edhe do të fitojë në intensitet. Por, kjo politikë nuk
gëzon mbështetje ndërkombëtare dhe në favor të këtij pohimi mjafton
shkrimi i gazetës serbe “Blic”, sipas të cilit administrata amerikane ka
kërkuar nga Serbia largimin e Jeremiqit nga posti i ministrit të
jashtëm. Në ndërkohë, Kosova duhet të vazhdojë me një fushatë proaktive
të lobimit pro njohjeve të reja dhe, edhe më e rëndësishmja, me
ndërtimin e imazhit të një shteti funksional, demokratik dhe të drejtë
për të gjithë qytetarët e vet, sepse pavarësia e saj tashmë është
legjitimuar, legalizuar dhe është vulosur përfundimisht nga drejtësia
ndërkombëtare.