“Politikanë dhe grushte”, të gjitha sherret në 5 vite
“E patë atë Lefterin si ia futi më grusht Erionit? Ama ç’ja bëri mirë
dhe ai Kadili”, asgjë më shumë se kaq nuk pamë dje në parlament. ky
është refreni i ditës si atij që jeton në një fshat të thellë dhe që ka
parë lajmet në dark edhe atij që po pi kafen në këto momente në “Bllok”.
Të gjithë i shajmë politikanët që i kemi zgjedhur vetë me votën tonë, e
po dhe aq shumë na ngrihet adrenalina dhe na shkon buzëqeshja në formë
V-je kur i shohim tek sa “hahen e grihen” në foltoren e Kuvendit,
foltore e cila shërben për të marrë vendime në shërbim të popullit e jo
për të tretur vaktin e drekës që kanë ngrënë ata “njerëz” që i paguajnë
nga taksat tona.
Muskujt
Përveç rastit që politikanët tanë janë unikë në botë në mosgjetjen e
konsensusit ata shquhen dhe për një fakt tjetër që ka të bëjë me
përdorimin e forcës fizike. Në 20 vitet e fundit, janë të shumta rastet
kur të zgjedhurit e popullit në Kuvend kanë treguar muskujt ndaj
njëri-tjetrit. Duke u dhënë në këtë mënyrë qytetarëve që i kanë zgjedhur
për ti përfaqësuar ndeshje spektakolare boksi. Ndeshje që i kanë zili
edhe boksierët që ndeshen në parketin e ringut të “Asllan Rusit”. Rasti i
fundit i grushteve mes deputetëve Lefter Maliqit, Erion Braçes dhe
Gjovalin Kadelit është i fundit në listën e gjatë të konfrontimeve
fizike të parlamentarëve shqiptar. Gazeta “Tirana Observer” boton rastet
e sherreve në arenën parlamentare nga viti 2005 deri tani
Sherret
I pari që e ka hapur kampionatin në këtë lloj sporti parlamentar, ka
qenë çifti Dedja-Pone. Ndeshja pati kontestime nga ana e mazhorancës, të
cilët sugjeruan që sfidanti Dedja duhet të kish zgjedhur një
kundërshtar me imunitet deputeti. Pasditen e atij dhjetori të ftohtë,
zëvendësministri Ferdinant Pone sigurisht që do i jetë dukur e hidhur
shuplaka e deputetit Taulant Dedja. Për këtë arsye ai vendosi ta çonte
çështje deri në gjykatë. Ndërsa Dedja ende i nxehur, dy ditë më pas në
Elbasan, deklaronte para zgjedhësve të tij, se nëse do e ofendonin
përsëri nuk do t’ia kursente Pones dhe faqen tjetër. Rasti i dytë, ai
mes Nard Ndokës dhe Blerim Çelës ndodhi pa shumë zhurmë, pasi askush nuk
mendonte se mes deputetëve të mazhorancës lejoheshin sherret. Por ja që
ndodhi, madje në mes të sallës së Parlamentit. Deputetët nuk i përdorën
grushtet, por vetëm disa stile të mundjes klasike, pasi menjëherë ka
ndërhyrë në rolin e arbitrit Bamir Topi. Rasti i tretë mes dy
deputetëve, Ndriçim Babasi të PD-së dhe Taulant Balla të PS-së është
padyshim ndeshja me e bukur e boksit në parlament. Kjo për faktin të
deputetët ishin të dy të rinj dhe ngjarja u komentua nga më të vjetrit
si pagëzimi me grushte për jetën politike të dy të rinjve. Rasti i
katërt mes zëvendëskryeministrit Rusmajli dhe Ben Blushit u konsumua pa
bujë larg syve të publikut. E kanë sfiduar njëri- tjetrin fillimit me
fjalë dhe më pas nuk kanë hezituar të masin dhe forcat. Deputeti i
PS-së, Blushi, mësohet se veç fjalëve di të përdorë shumë mirë edhe
këmbët. Rasti i pestë mes socialistit Paulin Sterkaj dhe demokratit
Fatos Hoxha, nga deputetët e tjerë komentohet si ndeshja më e ashpër për
këtë legjislaturë. Për disa minuta dy deputetë kanë shkëmbyer grushte
profesionistësh në korridoret e Parlamentit, pa u shqetësuar nga askush.
Ndërsa një rast tjetër kampionatit të boksit parlamentar ka pasur rang
ministror. Fati këtë herë ka vënë përballë një ministër të Qeverisë
Berisha, Jemin Gjanën dhe një ish-ministër të Qeverisë Nano, Blendi
Klosi. Edhe pse i zënë me telat e kompjuterëve, Klosi nuk ka përtuar ta
godasë ministrin Gjana.
Post-2009
Për arsyet që tashmë të gjithë i dimë, opozita nuk mori pjesë në
pothuajse të gjitha seancat e vitit 2009. Nga shtatori i 2009-ës arena e
Parlamentit ra në qetësi dhe nuk pati seanca boksesh, për shkak se
mungonte opozita. Ndërkohë që pati një përjashtim. Në seancën e vetme që
opozita ka marrë pjesë në Kuvend për vitin 2009 më 19 mars kur po
diskutohej nisma e Partisë Socialiste për hetimin e zgjedhjeve të 28
qershorit, gjatë kohës që po fliste deputeti Igli Cara, kërkon fjalën
për replikë Gazmir Bizhga i PS. Në këtë kohë ndërhyn Gent Strazimiri, i
cili me fyerje kërkon që Bizhga të mos merrte fjalën. Në këto momente
Bizhga niset drejt Strazimirit duke përdorur forcën fizike. Sherri u
ndalua nga punonjësit e Gardës të cilët ishin të shumtë të numër. Rasti
më klasik është ai i ndodhur dje. Për shkak se pati shkëmbim grushtash
spektakolar, ku morën pjesë deputetë dhe gardictë. Gjithçka nisi kur
Erion Braçe u nis drejt faltore së Kuvendit duke mbajtur një shishe uji
në dorë. Me t’u afruar afër vendit të kryeparlamentares Topalli, Braçe u
rrethua menjëherë nga gardistët. Në atë moment Braçe qëllohet me grusht
nga Lefter Maliqi, (i cili në fakt deklaroi që i hoqi shishen ujit, por
pamjet tregojnë të kundërtën). në ndihmë të Braçes ka ardhur deputeti
socialist Gjovalin Kadeli që ka tentuar të godasë Maliqin, por Kadeli
është shtyrë nga Edi Paloka. Në këtë mënyrë në pamundësi për t’i qëlluar
atij, grushtat e Kadelit kanë vajtur pa dashje në drejtim të një
efektivi të Gardës. Më pas u mbolodhën të gjithë deputetët e të dy
kaheve politikë duke sharë e qëlluar, por garda ka mundur ta shuajë
sherrin e deputetëve “gjaknxehtë”.
Dhjetor 2005
I pari që e ka hapur kampionatin në këtë lloj sporti parlamentar, ka
qenë çifti Dedja-Pone. Ndeshja pati kontestime nga ana e mazhorancës, të
cilët sugjeruan që sfidanti Dedja duhet të kish zgjedhur një
kundërshtar me imunitet deputeti. Pasditen e atij dhjetori të ftohtë,
zëvendësministri Ferdinat Pone sigurisht që do i jetë dukur e hidhur
shuplaka e deputetit Taulant Dedja. Për këtë arsye ai vendosi ta çonte
çështje deri në gjykatë. Ndërsa Dedja ende i nxehur, dy ditë më pas në
Elabsan, deklaronte para zgjedhësve të tij, se nëse do e ofendonin
përsëri nuk do t’ia kursente Pones dhe faqen tjetër
20 Dhjetor 2005 Ndoka-Çela
Grushte nuk shkëmbehen vetëm mes kundërshtarëve politike, por dhe
aleatëve, sidomos kur bëhet fjalë për paratë e partisë. Gjatë një seance
në Parlament, kur sapo Qeveria u kish hequr partive të vogla financimet
për fushatën elektorale, deputeti reformator Nard Ndoka dhe hartuesi i
ligjit të financimeve, deputeti i PD-së Blerim Çela janë përshirë në një
sherr mes tyre. Deputetët nuk arritën të qëlloheshin por vetëm matën
forcat në një stil mundjeje klasike.
16 Shkurt 2006 Babasi-Balla
Padyshim që të rinjve u zien gjaku në vena dhe fakti që janë deputetë
nuk i ndalon të tregojnë shpirtin sportiv. Sigurisht që fyerjet i
përdorin në një zhargon më modern, por grushtet ngelen gjithmonë
njëlloj. Deputeti i PD-së, Ndriç Babasi, i kapur mat teksa votonte me dy
karta në Parlament, ka menduar të dalë nga situata duke qëlluar mbi atë
që thërriste “kapeni mashtruesin”.
22 Shkurt 2006 Blushi-Rusmali
Mbahen si dy më intelektualët e forcave politike dhe i kanë çuditur të
gjithë. Por ja që edhe Ben Blushi dhe Ilir Ruslajli nuk iu kanë mbajtur
nervat. Pasi janë sharë mirë e mirë me fjalë, ia kanë nisur betejës me
të shtyra dhe me grushtet. Madje Blushi ka menduar të vërë në përdorim
dhe këmbët, për ta rrëzuar kundërshtarin. Natyrisht askush nuk ishte
fitues dhe askush humbës, por që të dy lanë një shije të keqe për
natyrën dhe formatin që kanë.
23 Shkurt 2006 Sterkaj-Hoxha
Ushtarakët sigurisht që janë më të përgatitur fizikisht sesa deputetët e
tjerë intelektualë. Ish-oficeri, komandanti i grupit të gatshëm, tani
deputet i PS-së Paulin Sterkaj, tashmë është i justifikuar ndaj selisë
rozë për ndonjë pëllëmbë që u ka dhënë militantëve në 1996. Sterkaj ka
treguar se fare mirë mund të bënte pjesë në ringun profesionist të
kombëtares, pas një dyluftimi të denjë me ish-oficerin Fatos Hoxha.
23 Shkurt 2006 Klosi-Gjana
Kabineti i Qeverisë nuk ka vetëm ministra simpatikë, siç thotë vetë
Berisha, por edhe shumë energjikë. Këtë e ka vërtetuar Ministri i
Bujqësisë, Jemin Gjana, i cili nuk hezitoi ti maste forcat dhe me
rioshin e PS-së, Blendi Klosi. Ky i fundit u ndje i shqetësuar nga
Gjana, teksa po “kujdesej”, për sistemin elektronik të aparaturave të
Kuvendit. Në fund sherri u la përgjysmë, pasi Klosi i kushton më shumë
vëmendje elektronikës.
Shkurt 2006 Sherr masiv
Një ndër debatet më të ndezura që përfundoi në dhunë fizike mes
deputetëve, u bë gjatë muajit shkurt 2006, në lidhje me tabelën
elektronike që tregon prezencën dhe votimet. Opozita pretendonte se
tabela elektronike ishte tejet e amortizuar dhe kishte nevojë për
restaurim, pasi nuk i tregonte se si kanë votuar deputetët. Ky debat e
mbajti të mbërthyer Parlamentin për një muaj dhe degradoi në sharje dhe
grushte mes deputetëve.
Mars 2006 Gjinushi-Topalli-Olldashi
Një sherr i madh është bërë edhe nga kreu social-demokrat Skënder
Gjinushi kundër Kryetares se Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kundër
deputetit demokrat Sokol Olldashi. Gjinushi që njihet për ironinë e tij
therëse, nuk i mbajtën më nervat gjatë një replike me Sokol Olldashin
dhe iu drejtua këtij të fundit me fjalë shumë të ashpra dhe ofenduese.
Po me një gjuhë ofenduese ai u drejtua edhe Kryeparlamentares.
28 korrik 2006 Meta-Legisi kundër Topallit
Një sherr që ka hyrë në historinë në Parlamentit shqiptar është ai i
LSI-së për anëtarin e KQZ-së. PD nuk pranoi ti jepte anëtarin e KQZ-së,
LSI-së, çka solli një veprim të ashpër të ish-kryeministrit që iu
drejtua me fjalë ofenduese kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Por
duke mos u ndalur me kaq, kreu i LSI-së tentoi t’i afrohej kërcënueshëm
Topallit, por u ndalua nga forcat e Gardës së Republikës. Ndërsa
deputeti i LSI-së, Ndre Legisi, u ngjit në podiumin ku qëndrojnë
ministrat duke thyer karrige dhe tavolina. Më pas e tërë opozita u
irritua, çka solli një sherr masiv që e detyroi mazhorancën të largohej
nga salla.
2 tetor 2006 Sherr mes Hysës dhe Rusmalit
Kane qenë replikat e ashpra mes deputetit të opozitës Ndriçim Hysa
(deputet i qytetit të Elbasanit) dhe mes zv/kryeministrit Ilir Rusmajli,
që ka ndezur sherrin në sallën e Kuvendit.Pasi ka marrë fjalën e tij,
deputeti Hysa ka kërkuar që kryeministri i vendit të hetohet dhe ka
thënë se e bija e tij, veç të tjerash është edhe pronare e dy vilave ne
Gjirin e Lalzit, (zonë e Durrësit). Ai me tej ka renditur një serë
arsyesh që sipas tij përbëjnë domosdoshmeri për hetimin e
kryeministrit.Por menjëherë pas tij, ka marrë fjalën zëvëndësministri
Rusmajli, duke thënë se në Elbasan, thuhet se deputeti i Partisë
Socialiste është me aftësi të kufizuar dhe se sipas fjalëve, këtij
deputeti i duhet hequr mandati. Kaq është dashur për të ndezur sherrin
në Kuvend. Deputetët e Partisë Socialiste janë afruar pranë foltores,
aty ku ndodhej edhe zëvendëskryeministri. Me pas seanca është ndërprerë.
Korrik 2007 Sherr Balla-Berisha
Sherri më i bujshëm që ka mbet në memorien e shqiptarëve pesë vitet e
fundit është ai mes deputetit Taulant Balla dhe kryeministrit Berisha në
seancë plenare. Deklarata e deputetit Balla në Kuvend, se vajza e
kryeministrit dëshiron të bëhet ministre, ka bërë që kryeministri
Berisha të lëshojë një lumë sharjesh në adresë të familjarëve të
deputetit Balla, në ndërprerjen e seancës. “Deklarata e vajzës së Godos
se kërkon të bëhet ministre i ka futur sherrin ne shtëpi kryeministrit
Berisha, pasi dhe vajza e tij ka kërkuar të bëhet ministre”, tha Balla.
Ka mjaftuar kaq që kryeministri Berisha të nxehet dhe të fyejë deputetin
Balla, i cili i është përgjigjur po me fyerje. Kryetarja e Parlamentit,
Jozefina Topalli nuk ka arritur të vejë nën kontroll situatën, ndaj ka
ndërprerë seancën.
29 Shtator 2007 Tom Doshi vs Leonard Solis
Tom Doshi i demokristinëve ka goditur me grushte në kafenë e Kuvendit
deputetin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Leonard Solis.
Pas incidentit, deputeti Doshi doli nga ambientet e Parlamentit duke mos
dhënë asnjë prononcim për incidentin. Nuk janë bërë të njohura shkaqet e
incidentit, ndërkohë që mësohet se debati mes deputetëve është i
hershëm dhe daton 2-3 vjet më parë. Ndërkaq mendohet se sherri ka lindur
pas një shkrimi kritik për PDK të Solisit në një të përditshme.
11 Shtator 2008 Harasani dhe Hysa përplasen me Gardën për misra
Skandali i misrit ka qenë prej ditësh në fokusin e Partisë Socialiste.
Për këtë arsye Grupi Parlamentar Socialist tentoi ta përçonte këtë
çështje edhe në Parlament. Pas debateve mes deputetit socialist Taulant
Balla dhe ministrit të Bujqësisë, Jemin Gjana, dy deputetët e tjerë
socialist tentuan të fusnin në arenën e Kuvendit kallinj misri pa
kokrra. Por efektivat e gardës në hyrje të Kuvendit nuk i kanë lejuar
deputetët të hyjnë në seanca me misrat pa kokrra. Kjo ka sjellë që mes
tyre dhe deputetëve socialistë të ketë një konfrontim fizik. Megjithatë
deputeti Hysa ia arriti misionit të tij duke hyrë në seancë me kallinjtë
e misrit e duke ia “dhuruar” ata kryeministrit, paçka se shefi i
qeverisë nuk gjendej në Parlament.
19 Mars 2009 Sherri Bizhga-Strazimiri
Sherri i parafundit në Kuvend ka ndodhur në seancën e vetme që opozita
ka marrë pjesë në Kuvend për vitin 2009. Në datën 19 mars kur po
diskutohej nisma e Partisë Socialiste për hetimin e zgjedhjeve të 28
qershorit, gjatë kohës që po fliste deputeti Igli Cara, kërkon fjalën
për replikë Gazmir Bizhga i PS. Në këtë kohë ndërhyn Gent Strazimiri, i
cili me fyerje kërkon që Bizhga të mos merrte fjalën. Në këto momente
Bizhga niset drejt Strazimirit duke përdorur forcën fizike. Sherri u
ndalua nga punonjësit e Gardës të cilët ishin të shumtë të numër.
26 korrik 2010
Rasti më klasik është ai i ndodhur dje. Për shkak se pati shkëmbim
grushtash spektakolar, ku morën pjesë deputetë dhe gardictë. Gjithçka
nisi kur Erion Braçe u nis drejt faltore së Kuvendit duke mbajtur një
shishe uji në dorë. Me t’u afruar afër vendit të kryeparlamentares
Topalli, Braçe u rrethua menjëherë nga gardistët. Në atë moment Braçe
qëllohet me grusht nga Lefter Maliqi, (i cili në fakt deklaroi që i hoqi
shishen ujit, por pamjet tregojnë të kundërtën). në ndihmë të Braçes ka
ardhur deputeti socialist Gjovalin Kadeli që ka tentuar të godasë
Maliqin, por Kadeli është shtyrë nga Edi Paloka. Në këtë mënyrë në
pamundësi për t’i qëlluar atij, grushtat e Kadelit kanë vajtur pa dashje
në drejtim të një efektivi të Gardës. Më pas u mbolodhën të gjithë
deputetët e të dy kaheve politikë duke sharë e qëlluar, por garda ka
mundur ta shuajë sherrin e deputetëve “gjaknxehtë”.