
Edhe përkundër reklamave të shtrenjta që bëri Maqedonia, ajo nuk
arriti të thithë asnjë investitor të huaj, përkundrazi, edhe ato që i
kishte i përzuri. Sipas Raportit të fundit të Konfederatës për tregti
dhe zhvillim, pranë Kombeve të Bashkuara (UNKTAD), Maqedonia ka më së
paku investime të huaja nga të gjitha vendet në Evropën Juglindore.
Investimet e huaja në vend janë gjithnjë në rënie e sipër që nga viti
2007, e këndej. Vitin e kaluar, shuma e investimeve ka qenë 248 milionë
dollarë, më së paku në rajon, ndërsa në nivel të njëjtë me Kirgistаnin, Azerbajxhanin dhe Taxhikistanin. Nga ana tjetër, investimet në drejtim të kundërt – nga Maqedonia në vende të huaja janë 13 milionë dollarë modestë.
Rënia e investimeve të huaja përputhet me qeverisjen e Nikolla
Gruevskit, i cili ka ardhur në pushtet që në vitin 2006. Ekspertët
vlerësojnë se shkaktarë i ikjes së investitorëve të huaj është pikërisht
kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i cili gjatë "sundimit" të
tij nuk është marrë aspak me çështjet ekonomike, por ka pas interesa të
tjera.
Ish ministri i ekonomisë, Xhevdet Hajredini thotë se kryeministri
Nikolla Gruevski bëri një politikë me të cilën i dëboi investitorët e
huaj. "VMRO në vitin 2006 kur erdhi në pushtet deklaroi se të gjithë
problemet e tjera të Maqedonisë do të zgjidhen duku zhvilluar ekonominë.
Por kjo ishte e pabazë, pasi ai që kur ka ardhur në pushtet më së paku
është marrë me ekonominë", thotë, Hajredini, duke shtuar se Maqedonia jo
vetëm që nuk u bë vend potencial për investitorët e huaj, por të gjithë
investitorët potencial që patën ardhur deri atëherë në Maqedoni i
shpalli si më të këqij. "Pasojat e politikës së Gruevskit janë këto. Pas
4 vjetësh jemi dëshmitarë se Maqedonia ka arrit rekord në mos thithjen e
investitorëve të huaj", thotë Hajredini, duke shtuar se kryeministri po
ballafaqohet me një realitet të hidhur shkaktarë i të cilit është vetë
ai. Sipas Hajredinit shkallën makro ekonomike të Maqedonisë e mbajnë
vetëm devizat që i sjellin mërgimtarët shqiptarët. "Janë rreth një
miliardë euro që mërgimtarët shqiptarë sjellin çdo vit këtu. Po të mos
ishin ato, Maqedonia do të kish bankrotuar me kohë", thekson ish
ministri i ekonomisë.
Gadaf Rexhepi, profesor në UEJL thotë se ekonomia dhe politika
gjithnjë kanë qenë të lidhura. "Për fat të keq, politika që udhëheq
kryeministri Gruevski është në disfavor të investimeve dhe ngritjes
ekonomike", thotë Rexhepi, duke shtuar se me një politikë kokëfortë dhe
joracionale nuk mund të ecet përpara.
Nga vendet e rajonit në zhvillim, dukshëm udhëheq Kroacia me dy
miliardë e 600 milionë dollarë investime të huaja, që është dhjetë herë
më shumë se sa Maqedonia. Në të njëjtën kohë, Kroacia gjithashtu edhe ka
investuar më së shumit në vendet e huaja – një miliard e 200 milionë
dollarë. Më së shumti investime në rajon ka në fushën e financave, e më
pas të tregtisë dhe komunikacionit. INKTAD parashikon rritje të
investimeve në Evropën Juglindore edhe gjatë këtij viti. Në nivelin
botëror, si vende-destinacione të investimeve të huaja, udhëheqin vendet
në zhvillim dhe tranzicion. Vitin e kaluar, këto vende kanë tërhequr
gjysmën e investimeve të huaja.